“NA BASHKON VARGU POETIK” – AKTIVITET KULTUROR NË GJIMNAZIN “SKËNDERBEU”
Më 23 tetor 2026, në Gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë, u realizua aktiviteti kulturor “Na bashkon vargu poetik”, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve “Oeneum” nga Tetova dhe Departamentin e Krijuesve të Rinj.
Aktiviteti mblodhi nxënës, mësimdhënës dhe krijues letrarë në një atmosferë të ngrohtë, ku fjala artistike, poezia dhe dashuria për letërsinë u bënë ura lidhëse mes brezave dhe institucioneve arsimore e kulturore.
Programi përfshiu takime me nxënësit e grupit letrar, recitime poezish nga shkrimtarët dhe nxënësit e gjimnazit, bashkëbisedime me krijuesit letrarë, si dhe vizitën në bibliotekën e shkollës, ku u dhuruan libra për pasurimin e fondit bibliotekar.
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte interpretimi i nxënësit Endi Veseli, i cili, me shoqërimin e kitarës gjatë recitimit, i dha programit një dimension të veçantë artistik dhe emocional.
Ky aktivitet synoi të nxisë kreativitetin, shprehjen artistike dhe interesimin e të rinjve për letërsinë, duke promovuar njëkohësisht bashkëpunimin kulturor dhe shkëmbimin e përvojave mes krijuesve dhe nxënësve.
Sepse poezia na afron, fjala na bashkon dhe kultura na lidh përtej kufijve!
Gjimnazi “Skënderbeu” shpreh mirënjohjen për Shoqatën e Shkrimtarëve “Oeneum” për bashkëpunimin dhe kontributin në pasurimin e jetës kulturore të shkollës.








